Përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës morën pjesë në seminarin e organizuar nga OECD-RCC, i cili u mbajt në Malaga të Spanjës, nga data 15 deri më 18 shtator 2026.
Në këtë seminar, Autoriteti u përfaqësua nga z. Besar Gashi, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut, dhe z. Albion Rexhepi, U.D. Udhëheqës i Divizionit për Marrëveshje të Ndaluara.
Gjatë seminarit u zhvilluan diskutime dhe sesione profesionale mbi çështje të ndryshme të së drejtës dhe politikës së konkurrencës, duke përfshirë shkëmbimin e praktikave, përvojave dhe rasteve konkrete nga autoritetet e konkurrencës të vendeve pjesëmarrëse. Këto aktivitete kontribuojnë në avancimin e njohurive profesionale dhe në forcimin e kapaciteteve të autoriteteve në zbatimin efektiv të rregullave të konkurrencës.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësi të krijojnë kontakte të reja me përfaqësues të autoriteteve të konkurrencës nga shtetet fqinje dhe vendet e rajonit, me qëllim të zhvillimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të mëtejshëm të përvojave.
Në përfundim të seminarit, përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës u pajisën me certifikata të pjesëmarrjes.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla ndërkombëtare përbën një mundësi të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të Autoritetit dhe për forcimin e bashkëpunimit me autoritetet homologe në rajon dhe më gjerë.