Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Autoriteti i Konkurrencës në tryezën bilaterale për forcimin e prokurimit publik dhe bashkëpunimit institucional

Autoriteti i Konkurrencës mori pjesë në tryezën bilaterale për forcimin e sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional.

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Neime Binaku-Isufi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm, z. Selajdin Beqa, si dhe ekspertin e konkurrencës, z. Egzon Berisha, morën pjesë në tryezën bilaterale me temën “Forcimi i sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional”, organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik me mbështetjen e SIGMA/OECD, më 14–15 prill 2026 në Tiranë.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte shkëmbimi i përvojave dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja znj. Neime Binaku Isufi theksoi rëndësinë e prokurimit publik në funksion të garantimit të konkurrencës së ndershme. Ajo nënvizoi se institucionet publike duhet të sigurojnë zbatimin e parimeve të barazisë dhe mos diskriminimit gjatë hartimit të dosjeve tenderuese.

Gjithashtu, ajo prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga Autoriteti në fushën e prokurimit publik, përfshirë fushatën e avokimit të realizuar përmes takimeve me institucionet qendrore, lokale dhe ndërmarrjet publike.

Në kuadër të reformave ligjore, znj. Binaku Isufi bëri të ditur se drafti i ri i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës parashikon përfshirjen e tri koncepteve të reja: “marrëveshjet për oferta në tenderë publikë”, “ftesat për marrëveshje të ndaluara” dhe “marrëveshjet në oferta”, me qëllim forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe zbulimin e manipulimeve në tenderë.

Drejtori i Përgjithshëm, z. Selajdin Beqa, prezantoi fushe veprimtarinë e Autoritetit, me fokus në trajtimin e rasteve në prokurim publik (ofertat dhe manipulimet apo kurdisjet e tenderëve) dhe indikacionet e shkeljeve të ligjit për konkurrencën. Ai theksoi se disa raste janë aktualisht nën monitorim, ndërsa një rast tashmë ka përfunduar me sanksion administrativ si rezultat i bashkëpunimit institucional me rregullatorin.

Ndërkaq, z. Egzon Berisha prezantoi një rast konkret të abuzimit me pozitën dominuese dhe lidhjes së një kontrate në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar për të kontribuar në përmirësimin e sistemeve të prokurimit publik dhe në forcimin e konkurrencës së drejtë në treg.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors