Autoriteti i Konkurrencës shënoi pjesëmarrjen e tij në konferencën ndërinstitucionale të organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, të fokusuar në koordinimin dhe integritetin brenda sistemit të prokurimit publik. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Neime Binaku-Isufi, mori pjesë me ftesë të KRPP-së për të përfaqësuar institucionin dhe për të adresuar rëndësinë e konkurrencës së drejtë në këtë sektor.
Në këtë konferencë u paraqitën sfidat strukturore të prokurimit publik, duke përfshirë mungesën e resurseve njerëzore, planifikimin e dobët, vlerësimin joadekuat të ofertave dhe mbikëqyrjen joefikase të kontratave. Përballë këtyre sfidave, u theksua domosdoshmëria e një sistemi transparent, llogaridhënës dhe të digjitalizuar, si dhe roli i institucioneve mbështetëse në krijimin e një mjedisi funksional dhe të qëndrueshëm.
Përfaqësimi i Autoritetit të Konkurrencës në këtë ngjarje nënvizoi rëndësinë e integrimit të parimeve të konkurrencës në të gjitha fazat e prokurimit publik, duke përforcuar bashkëpunimin institucional dhe angazhimin për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe të drejtë në treg.