Në kuadër të aktiviteteve për forcimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK) zhvilluan një takim pune me përfaqësues të Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat (PPP), në kuadër të Ministrisë së Financave
Në takim morën pjesë Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut në AKRK, z. Besar Gashi, dhe eksperti i konkurrencës, z. Egzon Berisha, të cilët u pritën nga Drejtori i Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat z. Petrit Pantina dhe Udhëheqësi i Divizionit për Monitorimin e Partneriteteve Publiko-Private, z. Kushtrim Osjeku.
Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, veçanërisht në çështjet që ndërlidhen me funksionimin e tregjeve, zbatimin dhe monitorimin e partneriteteve publiko-private, si dhe promovimin e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet në fushën e partneriteteve publiko-private, mekanizmat e monitorimit dhe mbikëqyrjes, si dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit institucional përmes shkëmbimit të informacionit, ekspertizës dhe praktikave profesionale.
Në fokus të diskutimeve ishin çështjet që lidhen me konkurrencën në procedurat dhe tregjet përkatëse, transparencën dhe kushtet e konkurrimit ndërmjet operatorëve ekonomikë, mundësitë për pjesëmarrjen e operatorëve të rinj në treg, si dhe identifikimi i barrierave apo praktikave që mund të ndikojnë në konkurrencën efektive.
Palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe shprehën gatishmërinë për ndërmarrjen e hapave konkretë në identifikimin dhe adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, duke respektuar kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të secilit institucion.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve synon të kontribuojë në rritjen e transparencës, promovimin e konkurrencës së lirë dhe efektive, përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe krijimin e kushteve të barabarta për operatorët ekonomikë, në funksion të një tregu më funksional dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Republikën e Kosovës.