AKRK dhe AAC forcojnë bashkëpunimin institucional për një treg konkurrues të aviacionit civil
Në kuadër të aktiviteteve për forcimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK) zhvilluan një takim pune me përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC).
Në takim morën pjesë Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut në AKRK, z. Besar Gashi, dhe eksperti i konkurrencës, z. Egzon Berisha, të cilët u pritën nga Drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Rregullim Ekonomik të Aviacionit, znj. Besnike Ukmata, si dhe u.d. Drejtori i Departamentit të Aerodromeve, z. Emir Hiseni.
Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, veçanërisht në çështjet që ndërlidhen me funksionimin dhe zhvillimin e tregut të aviacionit civil në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet në tregun e aviacionit civil, si dhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informacionit, ekspertizës dhe praktikave profesionale.
Në fokus të diskutimeve ishin çështjet që lidhen me konkurrencën në treg, dinamikën e çmimeve dhe tarifave të shërbimeve, kushtet e konkurrimit ndërmjet operatorëve ajrorë, si dhe mundësitë dhe sfidat që lidhen me hyrjen e operatorëve të rinj në treg.
Palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe shprehën gatishmërinë për ndërmarrjen e hapave konkretë në identifikimin dhe adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, duke respektuar kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të secilit institucion.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve synon të kontribuojë në forcimin e konkurrencës së lirë dhe efektive, rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu funksional të aviacionit civil, në interes të konsumatorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tregut në Republikën e Kosovës.