Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës (AKRK), znj. Neime Binaku Isufi e shoqëruar nga bashkëpunëtorë të saj, ka zhvilluar një takim zyrtar pune me Kryesuesen e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar (KKRF), znj. Rrezarta Korbaj Kosumi, Kryesuesen e Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP), znj. Vlora Prenaj, dhe përfaqësues të Sekretariatit të KKRF-së.
Në hapje të takimit, Kryetarja Binaku Isufi u shprehu urimet më të përzemërta përfaqësuesve të strukturave të reja të KKRF-së për marrjen e mandateve të tyre, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e raportimit financiar në Republikën e Kosovës.
Takimi u fokusua në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimin e aktiviteteve në çështje të raportimit financiar me interes të përbashkët.
Gjatë takimit u diskutuan këto fusha të bashkëpunimit:
Shkëmbimi i ekspertizës profesionale: Angazhimi i përbashkët i kapaciteteve njerëzore dhe profesionale për të adresuar sfidat dhe çështjet me interes të përbashkët institucional në përputhje me mandatet dhe kompetencat ligjore;
Bashkëpunimi profesional: Në çështjet që lidhen me pasqyrat financiare, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe standardet e raportimit financiar;
Identifikimi dhe monitorimi i tregjeve: Analizimi i hollësishëm i tregjeve specifike duke u bazuar në të dhënat zyrtare, me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive.
Inicimi i një Memorandumi të Bashkëpunimit (MoU): Hartimi dhe avancimi i një kornize zyrtare ndërinstitucionale, që do të përcaktojë fushat dhe mënyrat e bashkëpunimit, si dhe do të formalizojë komunikimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve.
Në përmbyllje, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin e rregullt, me qëllim të avancimit të objektivave të përbashkëta institucionale.