Autoriteti i Konkurrencës merr pjesë në Forumin Global të Konkurrencës të OECD në Paris”
Përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës, znj. Neime Binaku-Isufi – Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës dhe z. Adrian Mustafa – U.D. Shef i Divizionit të Analizës, morën pjesë në Forumin Global të Konkurrencës të organizuar nga OECD në Paris, më 1 dhe 2 Dhjetor 2025. Ky forum përbën një nga ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e politikave të konkurrencës, duke mbledhur drejtues të lartë nga shumë shtete të botës për diskutime mbi trendet dhe sfidat bashkëkohore të konkurrencës.
Gjatë ditës së parë të forumit u trajtua tema “Artificial Intelligence and Competitive Dynamics in Downstream Markets”, e cila u fokusua në ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e tregjeve, rolin e algoritmeve në sjelljen konkurruese dhe nevojën për qasje rregullatore të balancuara për të shmangur shtrembërimet e konkurrencës. Po ashtu u diskutua “Competition in the Health Sector”, me theks në sfidat strukturore të sektorit shëndetësor, transparencën e tregut dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve për konsumatorët.
Në kuadër të së njëjtës ditë, përfaqësuesit e Autoritetit zhvilluan një takim me përfaqësuesen e Bankës Botërore, Ms. Graciela Miralles, ku pas shumë diskutimeve u dakordua që përmes financimit të Bankës Botërore të organizohet një trajnim dy-ditor në Vjenë të Austrisë, në Shkurt 2026, për disa zyrtarë të Autoritetit të Konkurrencës. Trajnimi do të fokusohet në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe qasjet moderne rregullatore mbi marrëveshjet e ndaluara në prokurimin publik (Bid Rigging), duke u mbështetur në ekspertizën globale të kësaj fushe. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë drejtpërdrejt nga praktikat më të avancuara të Autoritetit Austriak të Konkurrencës, një prej institucioneve më të suksesshme në Bashkimin Evropian në zbatimin e ligjit të konkurrencës.
Në ditën e dytë të forumit u shtjelluan temat “Competition Law Enforcement in Informal Markets” dhe “Balancing Competing Priorities in Competition Policy”, të cilat adresuan sfidat që paraqet ekonomia informale për zbatimin e politikave të konkurrencës dhe rëndësinë e balancimit të objektivave strategjike, përfshirë inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Po në ditën e dytë, përfaqësuesit e Autoritetit mbajtën takim me Ms. Maria Pilar Canedo – Udhëheqëse e Regional Centre for Competition (RCC), ku u diskutua draft-programi i punës për vitin 2026 dhe kontributi i Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës në përgatitjen e tematikave. U vlerësua kontributi profesional i Autoritetit, me dy nga temat e propozuara prej tij të përfshira në Programin e RCC 2026:
• Bid Rigging in Public Procurement
• Training for Judges
Kjo përfshirje reflekton rolin aktiv, profesionalizmin dhe rolin bashkëpunues të Autoritetit të Konkurrencës në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe sjelljen e praktikave më të mira evropiane në vend, me synim avancimin dhe zbatimin efektiv të politikave konkurruese në funksion të zhvillimit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve.