Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës znj. Neime Binaku-Isufi mori pjesë në konferencën për lansimin e procesit të Vlerësimit të Rrezikut të Korrupsionit në fushën e prokurimit publik, organizuar nga Agjencioni Kundër Korrupsion.
Në këtë aktivitet, Autoriteti i Konkurrencës u përfaqësua edhe nga eksperti i Konkurrencës z. Egzon Berisha.
Konferenca kishte për qëllim diskutimin e rreziqeve kryesore të korrupsionit në prokurimin publik, me fokus në forcimin e transparencës, integritetit institucional dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme në administrimin e fondeve publike.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e rolit të Autoritetit të Konkurrencës në parandalimin dhe trajtimin e praktikave anti-konkurruese, siç janë marrëveshjet e fshehta ndërmjet operatorëve ekonomikë, manipulimi i tenderëve dhe abuzimi me pozitën dominuese, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shtrembërimin e tregut dhe dëmtimin e interesit publik.
Po ashtu, u diskutuan sfidat dhe rreziqet në të gjitha fazat e ciklit të prokurimit publik, duke filluar nga planifikimi i prokurimit dhe hartimi i specifikimeve teknike, deri te vlerësimi i ofertave, dhënia dhe monitorimi i kontratave.
Në kuadër të konferencës u theksua nevoja për:
– forcimin e kapaciteteve institucionale për hetim dhe mbikëqyrje;
– avancimin e transparencës përmes platformave digjitale;
– bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional;
– si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e konkurrencës së ndershme dhe integritetit në prokurimin publik.
I tërë procesi i Vlerësimit të Rrezikut të Korrupsionit në fushën e prokurimit publik do të mbështetet nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, përmes Projektit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Financiare.