Përqendrimet janë procese të zakonshme të ristrukturimit të tregjeve që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe efikasitetin në industri. Megjithatë, përmes një vlerësimi të kujdesshëm, Autoriteti duhet të sigurohet që këto përqendrime të mos kufizojnë konkurrencën ose të krijojnë pozita dominuese në treg, duke garantuar ruajtjen e interesave të konsumatorëve dhe konkurrencës së lirë.
- Sipas Ligjit Nr. 08/L-056 “Për mbrojtjen e Konkurrencës” Kapitulli IV, Neni 11 Përqendrimi paraqitet me ndryshimin e qëndrueshëm të kontrollit të ndërmarrjeve kur bashkohen ndërmarrje të pavarura ose pjesë të tyre; një a më shumë ndërmarrje fitojnë kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të tërësisë ose pjesëve të ndërmarrjeve të tjera, sidomos duke fituar aksione; duke fituar shumicën e të drejtave të votimit dhe në mënyrë tjetër sipas legjislacionit në fuqi.
- Fitimi i kontrollit, realizohet me bartjen e të drejtave, me kontratë ose në mënyrë tjetër që u mundëson ndërmarrjeve që vetë ose bashkë të ushtrojë në bazë të qëndrueshme ndikim vendimtar mbi ndërmarrje të tjera.
- Fitimi i kontrollit realizohet sidomos me:
– bartjen e pronësisë ose të drejtës për të përdorur tërësisht ose pjesërisht asetet e ndërmarrjeve;
– bartjen e të drejtave ose me kontrata që sjellin ndikim vendimtar në përbërjen, votimin ose vendimet e organeve të ndërmarrjeve. - Nuk quhen përqendrim i ndërmarrjeve sipas këtij neni, nëse:
– blerja për rishitje e aksioneve të ndërmarrjes nga institucioni financiar, institucioni i kreditit ose institucioni i sigurimit, për aq sa blerësi nuk ushtron të drejtën e votës për aksionet dhe shet aksionet brenda dymbëdhjetë (12) muajve blerësi mund t’i kërkojë Autoritetit afat shtesë prej dymbëdhjetë (12) muajsh, nëse dëshmon se nuk ka mundur të shesë aksionet;
– blerja e aksioneve për shkak të ristrukturimit të brendshëm të ndërmarrjes dhe lidhur me fitimin e kontrollit të përbashkët, bashkimin ose bartjen e pronësisë;
– bartja e kontrollit të ndërmarrjes te administratori falimentues ose likuidatori, në për puthje me legjislacionin në fuqi;
– krijimi i ndërmarrjes së përbashkët nga ndërmarrje të pavarura që në bazë të qëndrueshme kryejnë të gjitha funksionet si subjekte ekonomike të pavarura, ku njëra ndërmarrje ka për qëllim ose efekt bashkërendimin e sjelljes konkurruese të ndërmarrjeve të tjera dhe bashkërendimi është vlerësuar në përputhje me Kapitullin II LMK-së.